Secondary Adv

Eksportet frenojnë në gusht, fasoneria vijon me rënie të fortë

Pas rritjes me 10.6 për qind në korrik, eksportet shqiptare u ngadalësuan ndjeshëm në gusht 2026, duke u zgjeruar me vetëm 1.6 për qind në terma vjetorë.

Ecuria u ndikua nga rënia e fortë e tekstileve dhe këpucëve dhe ngadalësimi i materialeve të ndërtimit, metaleve, mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë, që kishin dhënë kontributin kryesor një muaj më parë.


Sipas INSTAT, eksportet e mallrave arritën në 20.5 miliardë lekë në gusht, 1.6 për qind më shumë se një vit më parë, por 39 për qind më pak krahasuar me korrikun 2026. Në rritjen vjetore ndikuan pozitivisht grupet “Materiale ndërtimi dhe metale” dhe “Ushqime, pije, duhan”, secili me 1.3 pikë përqindjeje, si dhe “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me 0.7 pikë përqindjeje. Ndikimi kryesor negativ erdhi nga “Tekstile dhe këpucë” me -2.9 pikë përqindjeje dhe “Produkte kimike dhe plastike” me -0.6 pikë përqindjeje.


Për periudhën janar-gusht 2026, eksportet arritën në 248 miliardë lekë, me rritje 6.3 për qind në terma vjetorë, nga 6.7 për qind që ishte zgjerimi për shtatëmujorin. Kontributin kryesor pozitiv e dhanë mineralet, lëndët djegëse dhe energjia, materialet e ndërtimit dhe metalet, si dhe makineritë e pjesët e këmbimit, ndërsa ndikimi më i madh negativ vijoi të vinte nga tekstilet dhe këpucët.


Fasoneria humbet vendin e parë në eksporte

Industria e tekstileve dhe këpucëve vijoi tkurrjen, me eksportet që ranë me 12.4 për qind në gusht, pas një rënieje prej mbi 13 për qind në korrik. Për tetëmujorin, eksportet e këtij grupi arritën në 64 miliardë lekë, me tkurrje 8 për qind, duke qenë i vetmi grup i madh me tendencë negative.


Si rezultat i rënies së vazhdueshme, tekstilet dhe këpucët zbritën në gusht në grupin e dytë më të madh eksportues, me 25.8 për qind të totalit, nga rreth 30 për qind një vit më parë. Në vendin e parë kaloi grupi “Minerale, lëndë djegëse dhe energji”.


Kryetari i Shoqatës së Manifakturës, Florjan Zekja, deklaroi se sektori i tekstileve dhe këpucëve po humbet me shpejtësi peshën dhe konkurrueshmërinë. Sipas tij, numri i të punësuarve ka rënë nga rreth 65 mijë në 40 mijë, duke humbur afërsisht 25 mijë vende pune. Ai shtoi se eksportet e sektorit kanë zbritur nga rreth 1.4 miliardë euro në vitin 2022 në 960 milionë euro në vitin 2025, një rënie prej rreth 440 milionë eurosh në tre vjet.


Zekja rendit ndër shkaqet kryesore zhvlerësimin e euros, nga rreth 119 lekë në vitin 2022 në afro 91 lekë në vitin 2026, rritjen e kostove të prodhimit, mungesën e fuqisë punëtore dhe konkurrencën e vendeve të rajonit. Sipas tij, pa masa mbështetëse ekziston rreziku për mbylljen e kompanive të tjera, humbjen e vendeve të punës dhe largimin e kontratave të huaja nga Shqipëria.


Ngadalësohen energjia dhe materialet e ndërtimit

Grupi “Minerale, lëndë djegëse, energji” eksportoi 5.2 miliardë lekë në gusht, me rritje 2.7 për qind në terma vjetorë, pas zgjerimit me 32 për qind në korrik. Për tetëmujorin, eksportet e këtij grupi arritën në 54.4 miliardë lekë, 21 për qind më shumë se një vit më parë, duke përbërë rreth 22 për qind të totalit.


Edhe grupi “Materiale ndërtimi dhe metale” u ngadalësua pas rritjes me mbi 70 për qind në korrik, e lidhur edhe me dërgesën drejt SHBA-së të prodhimit të grumbulluar prej disa muajsh nga eksportuesi i kromit Albchrome. Në gusht, eksportet e këtij grupi u rritën me 10.4 për qind, ndërsa për tetëmujorin zgjerimi ishte 21.4 për qind.


“Ushqime, pije dhe duhan” shënoi rritje me 8 për qind në gusht dhe me 3.4 për qind për tetëmujorin, duke u renditur si grupi i tretë më i madh eksportues me 15.8 për qind të totalit.


Ndërkohë, grupi “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi”, ku një peshë të rëndësishme ka industria mbështetëse automotive, u rrit me vetëm 0.1 për qind në gusht, pas një ecurie më të fortë në muajt e mëparshëm. Për periudhën janar-gusht, eksportet e këtij grupi u zgjeruan me 12 për qind.


Deficiti tregtar arrin në 55 miliardë lekë

Importet e mallrave arritën në 75.6 miliardë lekë në gusht, duke u rritur me 12.6 për qind krahasuar me një vit më parë dhe duke rënë me 12.6 për qind kundrejt korrikut. Deficiti tregtar arriti në 55 miliardë lekë, me rritje 17.4 për qind në terma vjetorë dhe 4.3 për qind krahasuar me korrikun 2026.


Sipas partnerëve tregtarë, eksportet drejt Italisë u rritën me 5 për qind dhe ato drejt Kosovës me 1.5 për qind krahasuar me gushtin 2025. Rëniet më të mëdha u regjistruan me Turqinë, me 54.1 për qind, dhe Maqedoninë e Veriut, me 5.6 për qind. Në importe, rritje u regjistrua me Italinë me 2.2 për qind dhe Kinën me 16.9 për qind, ndërsa importet nga Greqia ranë me 3.4 për qind dhe ato nga Gjermania me 3.6 për qind.


Shkëmbimet tregtare me vendet e Bashkimit Europian përbënë 46.2 për qind të tregtisë totale në gusht. Eksportet drejt BE-së zinin 63.1 për qind të eksporteve të përgjithshme, ndërsa importet nga vendet e BE-së përbënin 41.6 për qind të importeve.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat